Raport monitorimi për zbatimin e Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore 2024

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, e publikuam Raportin e Monitorimit për zbatimin e Ligjit për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore. Për vitin e katërt me radhë, raporti e analizon përparimin në zbatimin e dispozitave të Ligjit dhe vendosjen e shërbimeve dhe mekanizmave të parashikuar në nivel lokal dhe kombëtar.
Sipas të dhënave të mbledhura për periudhën nga 1 janari 2024 deri më 31 dhjetor 2024, vërehet rënie në zbatimin e mekanizmave dhe shërbimeve për të rinjtë. Për më tepër, raporti tregon se është rritur niveli i kuptimit të dispozitave ligjore nga ana e komunave. Në nivel kombëtar, edhe pse ka përparim përmes themelimit të Qendrës Kërkimore (Sektori për hulumtime në fushën e rinisë në kuadër të Sektorit për rini në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë), megjithatë mungon harmonizimi i dispozitave ligjore me riorganizimin e aparatit shtetëror dhe miratimi i të gjitha akteve nënligjore përkatëse.
Sipas raportit:
- Numri i komunave që kanë këshill rinor lokal është zvogëluar për 6 (nga 34 në vitin 2023 në 28 në vitin 2024);
- Numri i komunave që kanë miratuar strategji lokale për të rinjtë është zvogëluar për 8 (nga 18 në vitin 2023 në 10 në vitin 2024);
- Vetëm 4 komuna kanë realizuar në mënyrë të rregullt procedurën për themelimin e zyrës për të rinj;
- Vetëm 9 komuna kanë Qendra Rinore që funksionojnë në bashkëpunim me format rinore të organizimit;
- Numri i zyrtarëve rinorë në komuna është zvogëluar për 10 (nga 65 në vitin 2023 në 55 në vitin 2024);
- Në vitin 2024 vetëm 9 komuna kanë ndarë buxhetin e paraparë me ligj për të rinjtë prej së paku 0,1% nga buxheti i përgjithshëm i komunës;
- Në vitin 2025 vetëm 16 komuna kanë paraparë buxhet për të rinjtë sipas minimumit të përcaktuar me ligj prej 0,1% nga buxheti i përgjithshëm i komunës;
- Sipas komunave, buxheti për të rinjtë zakonisht përfaqëson buxhet për manifestime kulturore dhe sportive.
Për përmirësimin e zbatimit të Ligjit për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore rekomandohet:
- Miratimi i menjëhershëm i ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit dhe miratimi i akteve nënligjore për rregullimin e plotë të të gjitha dispozitave ligjore;
- Krijimi dhe publikimi i udhëzimeve dhe manualeve për themelimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore, veçanërisht në nivel lokal;
- Profesionalizimi i zyrtarëve rinorë dhe vendosja e mekanizmit për mbikëqyrje dhe mbështetje të komunave në zbatimin e Ligjit;
- Forcimi i kapaciteteve dhe rolit të sektorëve brenda Sektorit për rini në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë;
- Vendosja e një zëri të veçantë buxhetor për të rinjtë në buxhetet e institucioneve lokale dhe kombëtare, me qëllim të përcaktimit të qartë të buxhetit të destinuar për të rinjtë;
- Organizimi i një debati mbikëqyrës për zbatimin e Ligjit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me qëllim avancimin e rëndësisë dhe ndikimit të Ligjit.
Raporti i plotë është i qasshëm KËTU.