KRNM PËRSHËNDET VENDIMIN PËR VAZHDIMIN E AFATIT TË THIRRJES PUBLIKE, POR BËN THIRRJE PËR BASHKËPUNIM TË THELLË ME ORGANIZATAT RINORE

Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë përshëndet vendimin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për të vazhduar afatin për aplikimThirrjen Publike për mbështetje financiare të shoqatave dhe fondacioneve. Ky hap paraqet një sinjal pozitiv që zëri i organizatave rinore është dëgjuar dhe marrë parasysh dhe që institucionet mund të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme.

Njëkohësisht, KRNM beson se kjo situatë duhet të shërbejë si nxitje për vendosjen e një bashkëpunimi të thellë, të vazhdueshëm dhe të strukturuar mes Ministrisë dhe sektorit rinor. Ky dialog është kyç për planifikimin e proceseve të transparente, gjithëpërfshirëse dhe në kohë, të cilat do të sigurojnë qasje të barabartë dhe politika rinore që përputhen me nevojat reale të të rinjve.

Zgjatja e afatit është një hap në drejtimin e duhur, por zgjidhjet afatgjata kërkojnë më shumë se korrigjime teknike – ato kërkojnë përfshirjen e organizatave rinore si partnerë të barabartë në proceset e krijimit, zbatimit dhe vlerësimit të politikave dhe programeve që prekin të rinjtë. Nuk është e pranueshme që të rinjtë dhe organizatat rinore të përfshihen vetëm pas reagimeve dhe duke bërë presion – roli i tyre duhet të jetë sistematik dhe i siguruar që nga fillimi i çdo procesi, për të garantuar përfshirje të thellë dhe jo vetëm simbolike.

KRNM mbetet i përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv me institucionet dhe do të vazhdojë të angazhohet për politika rinore të bazuara në partneritet, llogaridhënie dhe vizion për një shoqëri ku të rinjtë janë aktorë aktivë. Njohuritë, ekspertiza dhe përvoja shumëvjeçare e KRNM-së janë në dispozicion të çdo institucioni që ndan vizionin tonë.

SHPËRNDAJE