Reagimi publik i KRNM-së për mosfunksionalitetin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe mospërmbushjen e detyrimeve ligjore ndaj të rinjve

Në qershor të vitit 2024, filloi procesi i themelimit të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë – një institucion për të cilin u dha lajmi se do të jetë një zgjidhje sistemore për përmirësimin e politikave rinore dhe avancimin e pozicionit të të rinjve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një vit më vonë, këto shpresa u shndërruan në zhgënjim të thellë. Në vend të angazhimit, të rinjtë po përballen përsëri me mospërfillje institucionale, burokraci dhe mosfunksionim thelbësor.

Pavarësisht afatit ligjor prej gjashtë muajsh për marrjen e plotë të kompetencave të Agjencisë për Rini dhe Sport, Ministria ende nuk është plotësisht e kompletuar me staf dhe me program, as nuk i ka marrë përsipër të gjitha kompetencat në përputhje me Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore të vitit 2024. Gjithashtu, mungojnë aktet nënligjore kryesore, një vizion i qartë dhe kapacitet për zbatim dhe krijim politikash, duke rezultuar me ngecje institucionale dhe paqartësi juridike në fushën e pjesëmarrjes së të rinjve.

Është gjithashtu shqetësuese që, sipas deklaratave publike gjatë rebalancit të Buxhetit të vitit 2025, buxheti i Ministrisë është rritur për 98.3%, ndërkaq pa paraqitur një plan ose program të qartë për realizimin e aktiviteteve rinore. Mbetet e paqartë se si do të ndahen këto mjete, në cilën periudhë kohore, me çfarë intensiteti dhe çfarë efekti konkret pritet te të rinjtë dhe te mirëqenia e tyre. Kjo qasje konfirmon se rritja e buxhetit nuk do të thotë automatikisht përmirësim, nëse nuk shoqërohet me transparencë, llogaridhënie dhe planifikim strategjik.

Përveç ngecjes institucionale, vërehet edhe një mungesë serioze e transparencës dhe pjesëmarrjes. Rastet e proceseve jotransparente për përzgjedhjen e përfaqësuesve të të rinjve, si në organet kombëtare ashtu edhe në strukturat dhe evenimentet ndërkombëtare, janë gjithnjë e më të shpeshta. Këto procese nuk e respektojnë parimin e pjesëmarrjes së hapur dhe gjithëpërfshirëse, dhe sektori rinor jo vetëm që nuk përfshihet, por edhe injorohet.

Gjithashtu, konstatimet e Raportit monitorues për zbatimin e Ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat e të rinjve për vitin 2024 tregojnë një rënie të qartë në zbatimin e dispozitave të këtij ligji, me zvogëlim të numrit të këshillave lokale rinore, strategjive, nëpunësve dhe qendrave rinore, si dhe mungesë të mekanizmave të vendosura nacionale dhe akteve nënligjore. Ministria ende nuk i ka marrë kompetencat për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, gjë që ndikon drejtpërdrejt në uljen e efikasitetit të saj.

KRNM-ja, si një rrjet më i madh i organizatave rinore dhe një trup përfaqësues legjitim i të rinjve, me njohje afatgjate institucionale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ka ofruar vazhdimisht ekspertizën e saj në të gjitha proceset kryesore – nga krijimi i politikave, monitorimi i mekanizmave lokale, deri te propozimi i zgjidhjeve të bazuara në të dhëna. Sot, ky bashkëpunim më së shpeshti ndodh me takime formale në të cilat, me përjashtim të disa proceseve të caktuara, në përgjithësi mungon përfshirja esenciale, komunikimi i rregullt kthyes dhe rezultatet konkrete.

Këto gjendje tregojnë për një ngecje institucionale serioze, prolongim të detyrimeve ligjore dhe mungesë të vullnetit politik për avancimin e vërtetë të politikave rinore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Andaj, KRNM-ja kërkon publikisht nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë:

  1. Ndërmarrje urgjente të kompetencave të Agjencisë për Rini dhe Sport, në pajtim me dispozitat ligjore;
  2. Miratim të të gjitha akteve të nevojshme nënligjore për zbatimin e Ligjit për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat e të rinjve;
  3. Mbështetje aktive dhe fillim të proceseve për themelimin e Kuvendit nacional rinor dhe Trupit këshillimor nacional;
  4. Ndërprerje të praktikës së proceseve selektive dhe jotransparente për emërimin e përfaqësuesve të të rinjve;
  5. Përforcim të kapaciteteve të Sektorit për të rinj dhe Qendrës Hulumtuese me kuadër të trajnuar dhe qasje sistemore ndaj krijimit të politikave të bazuara në të dhëna;
  6. Vendosje të raportit afatgjat dhe esencial të partnerit me sektorin rinor dhe organizatat rinore, përfshirë edhe shfrytëzimin e plotë të ekspertizës dhe kapaciteteve të KRNM-së si rrjet më i madh i organizatave rinore dhe trupit përfaqësues legjitim të të rinjve;
  7. Plan-program konkret për shpenzimin e buxhetit të rritur për të rinjtë, me qëllime të qarta, kornizë kohore dhe rezultate të pritura, duke siguruar transparencë, llogaridhënie dhe realizim efektiv në interes të të rinjve.

Të rinjtë meritojnë politika të bazuara në fakte, gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi, e jo premtime deklarative dhe procedura administrative pa rezultate. KRNM-ja mbetet e hapur për bashkëpunim dhe dialog, por nuk do të heshtë përballë pasivitetit institucional dhe margjinalizimit të të rinjve.

SHPËRNDAJE